Sistemi i tretjes dhe imuniteti

Hipokrat: „Ti je çfarë ha, ushqimi le të jetë ilaçi yt e jo ilaçet ushqimi yt“

Në sajë të sistemit të tretjes, ne furnizojmë trupin me lëndët ushqyese që janë të nevojshme për shëndetin, energjinë, rritje dhe zhvillim. Zbërthimi i ushqimit fillon në zgavrën e gojës ku përtypet dhe laget me pështymë. Përmes ezofagut ai hyn në stomak ku qëndron dhe kështu ngadalëson zbrazjen e përmbajtjes gastrike dhe krijon një ndjenjë të mbushjes dhe ngopjes. Fibrat e patretura kalojnë nëpër zorrën e hollë dhe vijnë në zorrën e trashë ku fillon procesi i fermentimit. Termi fermentim i referohet proceseve metabolike të dekompozimit të përbërjeve organike me ndihmën e enzimave, dhe kjo ndodh nëpërmjet enzimave të mikroflorës së zorrëve.

Në zorrën e trashë jetojnë bakterie të ndryshme, të ashtuquajturat mikroflora e zorrëve, përbërja e të cilës ndikon ndjeshëm në shëndetin tonë. Mikroflora e zorrëve përmban të ashtuquajturat bakterie të mira dhe të këqija, ndërsa pikërisht ekuilibri midis tyre është i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit. Zakonet e këqija të të ngrënit dhe të të ushqyerit dhe sëmundje të ndryshme mund ta prishin këtë ekuilibër të rëndësishëm. Në qoftë se çrregullimi është në favor të bakterieve "të këqija", dalin probleme me imunitetin (rezistencë ndaj sëmundjes), alergjinë, lëkurën, tretjen - shfrytëzim i çrregulluar i lëndëve ushqyese, pezmatim i sistemit urinar dhe të frymëmarrjes, dhimbje muskulore, lodhje kronike, etj. Në mënyrë që të mbajmë një mikroflorë të shëndetshme të zorrëve, ne mund të ndihmojmë veten duke marrë çdo ditë "bakteriet e mira". Këto janë mikroorganizma të gjalla që përdoren gjithmonë në përpunimin dhe konservimin e ushqimit. Për shembull, kulturat e "bakterieve të mira" përdoren në përgatitjen tradicionale të produkteve të thartuara të qumështit si kosi, djathi, suxhuku, lakra turshi dhe kastraveci dhe produkte të fermentuar të sojës, kështu që këto ushqime të fermentuara janë burime të vlefshme të bakterieve "të mira".